Një 37-vjeçar hapi zjarr në disa zona të Tarsusit, policia nis operacion të madh me helikopterë për kapjen e autorit
Turqia është tronditur sërish nga një tjetër sulm i rëndë me armë, këtë herë në distriktin Tarsus të provincës jugore të Mersinit, ku 5 persona u vranë dhe 8 të tjerë mbetën të plagosur pas një serie sulmesh të armatosura në disa zona të ndryshme.
Sipas mediave turke, autori i dyshuar, i identifikuar si Metin Öztürk, 37 vjeç, vrau fillimisht me armë ish-bashkëshorten Arzu Özden, 32 vjeçe, në lagjen Darıpınarı të distriktit Çamlıyayla.
Pas krimit, autori u largua me një automjet me targa “01 B 9171” dhe u drejtua për në distriktin Tarsus, ku vazhdoi sulmet e armatosura në zona të ndryshme.
Një nga sulmet më të rënda ndodhi në lagjen Kadelli Dörtler, ku Metin Öztürk mbërriti me makinë pranë restorantit në pronësi të Sabri Pan dhe hapi zjarr ndaj personave që ndodheshin aty.
Si pasojë e të shtënave, pronari i restorantit Sabri Pan humbi jetën në spital, ndërsa punonjësi Ahmet Ercan Can vdiq në vendngjarje.
Pas sulmit në restorant, autori u largua me automjet dhe vazhdoi të qëllonte në zona të tjera. Në lagjen Kaburgediği ai vrau Yusuf Oktay, një i ri që po kulloste kafshët, ndërsa në zonën Yenimahalle qëlloi për vdekje shoferin e kamionit Abdullah Koca pranë banesës së tij. Më pas u zbulua se i vdekur ka mbetur dhe një punonjës karburanti duke e çuar në 6 numrin e viktimave.
Gjatë arratisjes, autori plagosi edhe tetë persona të tjerë përgjatë itinerarit të tij. Autoritetet paralajmëruan se numri i të plagosurve mund të rritet.
Në vendngjarje u dërguan njësi të shumta policie, xhandarmërie dhe ambulanca, ndërsa forcat e sigurisë nisën një operacion të gjerë me mbështetje helikopterësh për kapjen e autorit, i cili mbetet në arrati.
Sulmi vjen në një moment kur Turqia po përballet me shqetësime në rritje për dhunën me armë mes të rinjve. Vetëm një muaj më parë, vendi u trondit nga dy sulme të tjera të kryera nga adoleshentë. Në incidentin e parë mbetën të plagosur 16 persona, ndërsa në sulmin e dytë humbën jetën 10 vetë, shumica fëmijë të moshës shkollore.