Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk e ka problem se ish-presidentja Vjosa Osmani po garon për pushtet. Ai theksoi se fakti që ajo garon në këto zgjedhje është një gjë e mirë.
“Unë e di që presidentja Osmani ka ambicie politike. Ajo do pushtet. Është krejt në rregull, është plotësisht legjitime në demokraci. Po e ritheksoj për këtë është gara politike. Shumë mirë që ka hyrë në garë politike”, tha Kurti në emisionin “Interaktiv” të KTV-së.
Më tej, Kurti ritheksoi se për Osmanin në LVV nuk kanë votë për presidente. Ai sqaroi se presidenti duhet të jetë jashtë skenës aktuale politike. Ai akuzoi Opozitën se po përdor Amerikën si pretekst për të goditur dhe dobësuar atë, taktikë që sipas tij është adoptuar edhe nga Osmani.
“Bondsteel nuk i ka borxh askujt sepse pronat private që i ka marrë në shfrytëzim tashmë paguan qira. Për shëndetin e demokracisë sonë dhe pak për forcimin e opozitës është e rëndësishme që të mos shkojnë në Amerikë, ta marrin Amerikën e ta sulmojnë kryeministrin e Kosovës. Po duket që po, po e bën edhe Osmani. Blloku opozitar e ka metodë të punës tërësisht të gabueshme që ta marrë Amerikën që ta godet Albin Kurtin. A aq i fortë jam unë sa ta marrin Amerikën për të më goditur mua që të ma lënë pak shenjë? Kjo është shumë irracionale”, tha Kurti.
Ai foli edhe lidhur me deklaratën e Osmanit pak ditë më parë gjatë një tubimi në Prishtinë, se Kurti kishte mbajtur takim disaorësh në një dhomë me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe emisarin e atëhershëm të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak e për të cilin nuk e ka njoftuar publikun. Kurti e mohoi kategorikisht një gjë të tillë.
“Unë me presidentin e Serbisë nuk jam takuar asnjëherë në dhomë veçmas e asnjëherë nuk jemi takuar edhe vetëm me emisarin Lajçak. Ka gjithmonë njerëz rrotull që mbajnë shënime. Nuk ka takime që i zhvillojmë e nuk i dimë më pastaj se çka u tha aty e çka s’u tha edhe Brukseli edhe Washingtoni sepse BE-ja dhe SHBA-ja nuk i besojnë emisar Lajçak më shumë sesa vetëvetes. Kam raportuar disa herë për dialogun në Bruksel për marrveshjen bazike, për aneksin e zbatimit dhe nuk ka pyetje të krerëve opozitarë për të cilat nuk jam përgjigjur. Nuk ka pyetje që në takimet që i kam pasur me Osmanin dhe nuk iu jam përgjigjur”, tha ai.
Sa i përket opozitës, Kurti ka thënë se nuk ka kryeministër që e ka respektuar opozitën më tepër.
“Mua më ndiqnin me polici kur isha në opozitë. Ma thejshin banesën çdo vit”, tha Kurti.