Autoritetet në Maldive dhe prokuroria në Romë kanë hapur dy hetime të ndara për tragjedinë gjatë një ekspedite zhytjeje në një shpellë të thellë nënujore në Oqeanin Indian, ku humbën jetën pesë zhytës italianë.
Sipas mediave ndërkombëtare, një nga hetimet në Itali është regjistruar si procedim për “vrasje nga pakujdesia”, ndërsa autoritetet maldiviane po analizojnë nëse organizatorët e ekspeditës kishin marrë masat e duhura të sigurisë dhe kishin kryer planifikimin e nevojshëm për një operacion kaq të rrezikshëm.
Zëdhënësi i presidencës së Maldiveve, Mohamed Hussain Shareef, deklaroi se rikuperimi i trupave pritet të ndihmojë hetimet, por theksoi se zhytja në shpella nënujore mbetet “jashtëzakonisht e rrezikshme”.
Sipas tij, grupi i zhytësve kishte marrë leje për ekspeditën, e cila drejtohej nga Monica Montefalcone, studiuese detare dhe profesore e ekologjisë në Universitetin e Gjenovës. Megjithatë, autoritetet thanë se në dokumentacion kishte boshllëqe të rëndësishme.
“Ne nuk ishim informuar se grupi do të eksploronte një shpellë nënujore dhe nuk dinim vendndodhjen e saktë të zhytjes”, deklaroi Shareef.
Ai shtoi gjithashtu se dy nga viktimat nuk figuronin në listën zyrtare të studiuesve të paraqitur nga organizatorët, çka po shqyrtohet tani nga hetuesit.
Sipas autoriteteve, ekspedita u zhvillua në kushte shumë të vështira, për shkak të thellësisë së madhe, terrenit të komplikuar, rrymave të forta dhe mungesës së dukshmërisë brenda shpellës.
“Pasi hyn në shpellë, dukshmëria bëhet pothuajse zero”, tha Shareef.
Zhytësit rezultuan të zhdukur të enjten gjatë eksplorimit të një shpelle në Vaavu Atoll. Operacioni i kërkimit dhe rikuperimit u cilësua nga autoritetet si “shumë i rrezikshëm dhe me risk të lartë”.
Një zhytës ushtarak i Maldiveve humbi gjithashtu jetën të shtunën gjatë operacionit për nxjerrjen e trupave të viktimave.
Kërkimet u ndërprenë përkohësisht për shkak të motit të keq, ndërsa autoritetet konfirmuan se deri tani janë rikuperuar tre trupa. Dy të tjerë u nxorën të martën nga një ekip finlandez zhytësish në dhomën e tretë të shpellës së thellë.
Instituti Kombëtar Italian i Gjeofizikës dhe Vullkanologjisë dhe Universiteti i Gjenovës identifikuan viktimat si Monica Montefalcone, vajza e saj Giorgia Sommacal, studiuesja Muriel Oddenino, biologu detar Federico Gualtieri dhe instruktori i zhytjes Gianluca Benedetti.
Ngjarja ka tronditur komunitetin akademik dhe atë të zhytjes në Itali, ndërsa hetimet po përqendrohen te përgjegjësitë organizative dhe kushtet në të cilat u zhvillua ekspedita.