Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, deklaroi se Irani ka vetëm “dy ose tre ditë” kohë për t’u ulur në tryezën e negociatave dhe për të arritur një marrëveshje me Uashingtonin.
Duke folur për gazetarët jashtë Shtëpisë së Bardhë, Trump tha se afati për një marrëveshje është shumë i kufizuar. “Ndoshta të premten, të shtunën, të dielën, ose në fillim të javës së ardhshme. Ata kanë një periudhë shumë të shkurtër kohe”, u shpreh ai.
Presidenti amerikan përsëriti qëndrimin e tij se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore, duke paralajmëruar për pasoja të rënda në rajon nëse Teherani arrin kapacitete të tilla ushtarake.
“Nuk mund t’i lejojmë të kenë armë bërthamore. Ata do të shkatërronin Izraelin, Arabinë Saudite, Kuvajtin, Emiratet, Katarin dhe gjithë Lindjen e Mesme. Do të ishte një holokaust bërthamor”, deklaroi Trump.
Deklaratat e presidentit amerikan vijnë në një periudhë tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa vijojnë përpjekjet diplomatike për të shmangur një përshkallëzim të mëtejshëm në rajon.