Shefja e diplomacisë europiane paralajmëron për rrezik të përshkallëzimit bërthamor pas përdorimit të raketave “Oreshnik” nga Moska.
Kaja Kallas, ka akuzuar Rusinë për terrorizim të Ukrainës përmes sulmeve të vazhdueshme ndaj zonave urbane dhe popullsisë civile.
Në një deklaratë të fortë, ajo tha se Moska, përballë vështirësive në vijën e frontit, po intensifikon goditjet ndaj qyteteve ukrainase me qëllim frikësimin dhe shkaktimin e sa më shumë viktimave civile.
“Rusia, e bllokuar në fushën e betejës, po terrorizon Ukrainën përmes sulmeve të synuara ndaj qendrave urbane. Këto janë akte terroriste të dënueshme që synojnë vrasjen e sa më shumë civilëve”, deklaroi Kallas.
Zyrtarja europiane shprehu shqetësim edhe për përdorimin e dyshuar nga Rusia të raketave balistike me rreze të mesme “Oreshnik”, të cilat sipas saj janë të projektuara për të mbajtur koka bërthamore.
“Përdorimi i këtyre raketave përbën një taktikë frikësimi politik dhe një rrezik serioz për përshkallëzim bërthamor”, u shpreh shefja e politikës së jashtme të BE.
Ajo paralajmëroi se situata aktuale po afrohet me një moment tepër të rrezikshëm për sigurinë ndërkombëtare.
“Ky është një rrezik i pamatur në tehun e thikës bërthamore”, theksoi diplomatja e lartë e BE.
Kallas njoftoi gjithashtu se ministrat e Jashtëm të Bashkimit Europian do të mblidhen javën e ardhshme për të diskutuar masa të reja që synojnë shtimin e presionit ndërkombëtar ndaj Rusisë.