“Java që sapo ka nisur do të karakterizohet nga mot i ngrohtë, por i lagësht, me reshje shiu në pothuajse të gjithë territorin e Shqipërisë”. E ftuar në emisionin “Now” me Esmeralda Mulajn në Euronews Albania, meteorologia e Meteoalb, Lajda Porja, parashikoi se reshjet do të jenë të pranishme gjatë gjithë javës, ndërsa më të dendura pritet të jenë në zonat veriore dhe veriperëndimore të vendit.
Sipas Porjas, ditët më problematike për sa i përket reshjeve do të jenë e mërkura dhe e premtja, kur në disa zona priten rrebeshe me intensitet mesatar dhe lokalisht të lartë. Meteorologia paralajmëroi se për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve në intervale të shkurtra kohore, zonat veriore mund të përballen edhe me përmbytje të përkohshme.
