Në deklarimin e saj para hetuesve, e reja ka treguar se personi në fjalë e kishte pritur pas përfundimit të një aktiviteti në Qendrën e Shëndetit Mendor në Mitrovicë dhe i kishte kërkuar të hipte në automjetin e tij.
Sipas denoncimit, më pas ata kishin lëvizur në disa lokacione, të cilat 21-vjeçarja ka deklaruar se nuk arrinte t’i kujtonte me saktësi.
Ajo ka pretenduar se gjatë kësaj kohe personi i dyshuar kishte kryer marrëdhënie seksuale me të pa pëlqimin e saj.
Për shkak të gjendjes së saj, intervistimi është zhvilluar në praninë e një psikologeje dhe një zyrtari nga Qendra për Punë Sociale, me qëllim të sigurimit të kushteve të përshtatshme gjatë marrjes së deklaratës.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Rrëmbim” dhe i është përcjellë Sektorit të Hetimeve Rajonale në Mitrovicë për veprime të mëtejshme hetimore.
Hetimet po vazhdojnë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, për të identifikuar personin e dyshuar dhe për të përcaktuar përgjegjësinë eventuale penale.
Deri në përfundim të hetimeve dhe një vendimi përfundimtar gjyqësor, personi i dyshuar gëzon prezumimin e pafajësisë.