Aksion i Financiarëve dhe Prokurorisë: Arrestohen katër persona për dyshime në një tender të Doganave
Policia Financiare, në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike, ka zhvilluar sot një aksion në të cilin janë privuar nga liria katër persona të dyshuar për keqpërdorime të lidhura me një procedurë tenderuese në Drejtorinë Doganore.
Mes të arrestuarve, sipas informacioneve paraprake, ndodhet edhe një ish-drejtor i Drejtorisë Doganore, ish-nënkryetar i LSDM-së dhe ish-kryetar i Komunës së Karposhit.
Sipas dyshimeve fillestare, personat e përfshirë ngarkohen me keqpërdorime të detyrës, malverzime financiare dhe parregullsi në një procedurë të prokurimit publik.
Institucionet kompetente deri më tani nuk kanë dhënë detaje shtesë lidhur me rastin. Gjatë ditës pritet që Policia Financiare dhe Prokuroria të dalin me një njoftim zyrtar për të sqaruar rrethanat dhe veprat penale për të cilat dyshohen të arrestuarit.
Hetimet për rastin janë në vazhdim.