Një zëdhënës i ushtrisë iraniane, Mohammad Akraminia, deklaroi se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet në kontrollin e Iranit me çdo kusht. Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve ISNA, zëdhënësi i ushtrisë deklaroi se kontrolli i Hormuzit gjeneron të ardhura të konsiderueshme për Teheranin dhe të rrisë influencën e saj në arenën ndërkombëtare.
“Kontrolli ynë mbi Ngushticën e Hormuzit do të gjenerojë të ardhura të konsiderueshme ekonomike për vendin tonë, të cilat madje mund të dyfishojnë të ardhurat tona nga nafta, dhe do të forcojë ndikimin tonë në skenën ndërkombëtare”, tha Mohammad Akraminia.
Ai shtoi gjithashtu se pjesa perëndimore e ngushticës kontrollohet nga forcat detare të Gardës Revolucionare, ushtria ideologjike e Republikës Islamike, ndërsa pjesa lindore ruhet nga marina iraniane.
Kontrolli i Ngushticës së Hormuzit, e cila transporton afërsisht 20% të naftës globale, është një pikë e rëndësishme pengese në negociatat për t’i dhënë fund luftës me Shtetet e Bashkuara.
Ebrahim Azizi, kryetar i komisionit parlamentar për sigurinë kombëtare, tha se organi që ai kryeson ka zhvilluar një plan për menaxhimin e korridorit detar.
“Irani synon ta shfrytëzojë këtë pozicion strategjik si një levë pushteti përmes menaxhimit strategjik të Ngushticës”, tha ai, sipas televizionit shtetëror.