Aktivisti shqiptar, Baki Goxhaj mësohet se është arrestuar në ujërat ndërkombëtare…
Autoritetet izraelite kanë arrestuar një shqiptar i cili ishte pjesë e flotiljes humanitare ‘Sumud’ e cila po shkonte për të dhuruar ndihma në Gaza. Aktivisti shqiptar, Baki Goxhaj mësohet se është arrestuar në ujërat ndërkombëtare.
Lidhur me rastin, Ministria e Jashtme ka deklaruar se është në dijeni dhe se çështja po ndiqet nëpërmjet kanaleve diplomatike për të marrë një informacion të plotë mbi rrethanat si dhe për të garantuar të drejtat e tij të plota.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme është vënë në dijeni për rastin e shtetasit shqiptar Baki Goxhaj, i cili ndodhet në bordin e flotiljes “Sumud”. Përmes kanaleve diplomatike, Ministria është vënë prej momentit të parë në komunikim me autoritetet izraelite kompetente për të siguruar informacion të plotë mbi situatën dhe për të garantuar respektimin e të drejtave të shtetasit shqiptar, përfshirë aksesin konsullor, në përputhje me praktikat dhe konventat ndërkombëtare.
Ministria po e ndjek çështjen me prioritet të plotë dhe mbetet në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e zotit Goxhaj, si dhe do të informojë në vijim mbi procedurat e mëtejshme që pritet të ndërmerren”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.
Çfarë është Flotilja Globale Sumud me të cilën udhëtonte aktivisti shqiptar?
Flotilja Globale Sumud është një iniciativë ndërkombëtare civile, e organizuar nga koalicione si Freedom Flotilla Coalition, Global Movement to Gaza, Maghreb Sumud Flotilla dhe Sumud Nusantara. Qëllimi i saj kryesor është të thyejë bllokadën detare izraelite ndaj Gazës, të dorëzojë ndihma humanitare (ushqime, ilaçe, formula për fëmijë) dhe të tërheqë vëmendjen globale ndaj situatës në Gaza.
Emri “Sumud” vjen nga fjala arabe që do të thotë “qëndrueshmëri” ose “rezistencë e palëkundur”. Flotilja përfshin dhjetëra anije, qindra aktivistë nga dhjetëra vende dhe veprim të koordinuar edhe tokësor. Ajo ka pasur misione të rëndësishme në 2025 dhe 2026, por anijet janë ndërhyrë shpesh nga forcat izraelite në ujëra ndërkombëtare. Ky lëvizje konsiderohet si një nga konvojet më të mëdha civile të solidaritetit në histori.