Kjo lëvizje është përmbysja totale e vendimit fillestar të Trumpit. Pasi Irani mori “hakun” e tij në sferën gjeo-ekonomike përmes bllokadës, tani Trump po tenton ta asfiksojë regjimin ekonomikisht.
Trump po tenton të asfiksojë ekonomikisht Teheranin pas kundërpërgjigjes së regjimit, i cili, duke bllokuar Ngushticën, i shkaktoi botës një shok energjetik me kosto të lartë. Pyetja që mbetet është nëse ky përshkallëzim do të detyrojë Iranin të ulet në tryezën e bisedimeve apo do të përkeqësojë krizën globale të karburanteve.
Pse Donald Trump nuk e shpalli më parë kërcënimin e tij për të bllokuar anijet që dalin nga portet iraniane? Çfarë kuptimi ka që ta bëjë këtë pikërisht tani? Dhe a është ky një kërcënim i besueshëm, apo thjesht një bllof?
Që nga fillimi i operacionit “Epic Fury” më 28 shkurt, një nga kritikat e përsëritura ndaj Trumpit ka qenë kjo: pse nuk e parashikoi dhe parandaloi shantazhin e regjimit iranian mbi Hormuzin?
Përballë efikasitetit të pamohueshëm që Pentagoni dhe forcat izraelite treguan në “dekapitimin” e udhëheqjes dhe gjymtimin e arsenalit ushtarak iranian, dështimi për të neutralizuar bllokadën e Hormuzit i është faturuar Trumpit edhe nga ata që ndanin të njëjtat qëllime fillestare të kësaj lufte.
Për të gjetur përgjigjet duhen pasur parasysh dy gjëra. Së pari, siç kishte deklaruar edhe vetë, Trump priste ta mbyllte konfliktin brenda 4-5 javësh: ose me një ndryshim regjimi, ose me një regjim të gjunjëzuar që do të pranonte kapitullimin e pakushtëzuar (ngjashëm me atë që po bën zëvendësja e Maduros në Venezuelë).
Duhej të ishte një “luftë rrufe” që, në skenarin më optimist, do t’i linte pak kohë teokracisë shiite për të organizuar një kundërofensivë.
Së dyti, Trump i kishte vënë vetes si kusht reduktimin e ndikimit të luftës mbi çmimet e karburanteve, të paktën brenda vendit të tij. Duke e ditur se tregjet energjetike janë globale dhe se rënia e furnizimeve drejt Azisë dhe Evropës do të rriste çmimet edhe në SHBA, Trump u kujdes të hiqte sanksionet mbi naftën iraniane dhe ruse.
Kjo lëvizje u duk absurde dhe vetëvrasëse për shumë vëzhgues. Sepse çfarë kuptimi ka të heqësh sanksionet ndaj një vendi me të cilin je në luftë? Në fakt, lëvizja e kishte një logjikë.
Ndërsa nga njëra anë Pentagoni bënte copë-copë aviacionin dhe marinën iraniane, nga ana tjetër Thesari i SHBA-së përpiqej të shmante një rënie drastike të furnizimeve me naftë. Megjithatë, ky plan u hodh poshtë nga regjimi i Teheranit.
Duke bllokuar lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, Rojet e Revolucionit Islamik provokuan pikërisht atë mungesë energjie që Trump shpresonte të shmangte. Tani, nëse fjalët e Trumpit do të ndiqen nga veprat, do të nisë një fazë e re e luftës.
Ndoshta do të jetë më pak masive në dhunë, edhe sepse teorikisht jemi ende brenda armëpushimit dyjavor të ndërmjetësuar nga Pakistani. Edhe vetë zëvendëspresidenti JD Vance, ndonëse e shpalli dështimin e negociatave, e cilësoi si pozitive bisedën e nivelit të lartë mes dy qeverive në Islamabad, për herë të parë in 47 vjet.
Ekziston ndjesia se dështimi i negociatave nuk është aq përfundimtar sa po përshkruhet.
Ndërkohë, në Gjirin Persik ka risi. Marina e SHBA-së duket se ka nisur operacionet e çminimit, një kusht i domosdoshëm për të rinisur tranzitin.
Ndërkohë iranianët po përforcojnë mbrojtjen bregdetare pranë Hormuzit, sikur presin një zbarkim të Marinës Amerikane. Dhe mbi të gjitha, erdhi njoftimi se SHBA do të nisë bllokimin e anijeve që dalin nga portet iraniane.
Kjo do të thotë se Pentagoni po ngre një embargo selektive. Ajo synon të ndalojë vetëm anijet iraniane, pra të ndërpresë eksportet që financojnë luftën e regjimit, ndërsa anijet me naftë dhe gaz nga vendet arabe do të vazhdojnë të qarkullojnë (ndoshta nën eskortën e amerikanëve).
Kjo lëvizje është përmbysja totale e vendimit fillestar të Trumpit. Pasi Irani mori “hakun” e tij në sferën gjeo-ekonomike përmes bllokadës, tani Trump po tenton ta asfiksojë regjimin ekonomikisht. Nëse ndodh kjo, një viktimë anësore do të jetë Kina, blerësja kryesore e naftës iraniane.
Pra, Trump ka ndryshuar mendje. Ai po pranon goditjet në çmimet globale vetëm që të zgjerojë ofensivën nga dimensioni ushtarak në atë ekonomik. Ndoshta me shpresën se
kjo do ta rikthejë Teheranin në tryezën e bisedimeve për të pranuar kushtet e Uashingtonit. Deri tani, Trump dukej i trembur nga kriza energjetike dhe reflektimi i saj te votuesit amerikanë. Mbetet për t’u parë nëse tregjet dhe sondazhet do ta detyrojë të ndryshojë kurs sërish.