Koreja e Veriut pretendon se ka testuar raketa me koka bërthamore dhe bomba thërrmuese. Ndërsa udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, deklaron se konfliktet ndërkombëtare, përfshirë përplasjet e SHBA-së me Iranin, vërtetojnë se vendi i tij kishte të drejtë të mbajë armët bërthamore.
Në një fjalim ai akuzoi Uashingtonin për agresion të sponsorizuara nga shteti, por nuk e përmendi Iranin me emër.
Koreja e Veriut pretendon se ka testuar raketa me koka bërthamore dhe bomba thërrmuese, duke shtuar shqetësimet për sigurinë në rajon dhe duke rritur tensionet me Korenë e Jugut dhe aleatët e saj.
Sipas medias shtetërore, testimet zgjatën tre ditë dhe përfshinë gjithashtu armë kundërajrore, teknologji elektromagnetike dhe bomba me fibra karboni.
Nga ana tjetër, ushtria e Koresë së Jugut konfirmoi se ka zbuluar disa lëshime raketash nga bregdeti lindor i Veriut, të cilat fluturuan deri në 700 kilometra përpara se të binin në det. Një tjetër predhë u identifikua pranë kryeqytetit Phenian.
Autoritetet verikoreane pretendojnë se raketat e testuara mund të godasin objektiva në një sipërfaqe të gjerë me fuqi të lartë shkatërruese, duke rritur ndjeshëm kapacitetet e tyre ushtarake.
Ndërkohë, Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka deklaruar se zhvillimet e fundit ndërkombëtare përforcojnë vendimin e Phenianit për të ruajtur arsenalin bërthamor, duke e cilësuar atë si të “pakthyeshëm”.
Në një fjalim para Asamblesë Supreme Popullore, Kim akuzoi Shtetet e Bashkuara për agresion dhe presion të vazhdueshëm, duke theksuar se vendet pa armë bërthamore mbeten të ekspozuara ndaj ndërhyrjeve ushtarake.
Deklaratat e tij vijnë në një moment kur tensionet globale janë rritur, veçanërisht pas përplasjeve të fundit që përfshijnë Iran, të cilat Pheniani i sheh si shembull të rrezikut për shtetet jo-bërthamore.
Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump ka lënë të hapur mundësinë për rifillimin e dialogut me Phenianin, një proces që u ndërpre në vitin 2019. Megjithatë, sinjalet nga Koreja e Veriut sugjerojnë se çdo negociatë e ardhshme do të jetë shumë më e vështirë.
Kim ka bërë të qartë se vendi i tij nuk do të negociojë më për heqjen dorë nga armët bërthamore, por mund të angazhohet në bisedime vetëm nëse pranohet si fuqi bërthamore.