Televizioni shtetëror iranian transmetoi një video ku tregon forcat detare të Iranit duke sekuestruar mjete lundruese në Ngushticën e Hormuzit.
Në pamje shihen burra të maskuar, që me një anije të vogël që i afrohen një anijeje më të madhe dhe më pas hipin në bord të armatosur.
Sipas mediave iraniane, operacioni paraqitet si pjesë e aktiviteteve të zakonshme të sigurisë detare në një nga rrugët më të rëndësishme për transportin global të naftës.
Zhvillimi vjen në një moment kur perspektivat për bisedime midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara, që pritej të zhvilloheshin në Pakistan, mbeten të paqarta. Republika Islamike ka akuzuar Uashingtonin për “mungesë vullneti të mirë” në procesin negociator.
Raportimet nuk japin detaje të pavarura për kohën dhe vendndodhjen e saktë të incidentit, ndërsa tensionet mes dy vendeve vijojnë të mbeten të larta.