Një studim i ri ka treguar se ilaçi kundër migrenës “ubrogepant” mund të lehtësojë jo vetëm dhimbjen e kokës, por edhe simptomat paralajmëruese që shfaqen para krizës, si marramendja, ndjeshmëria ndaj dritës apo zhurmës dhe lodhja, sipas revistës shkencore “Neurology”.
Kërkimi u drejtua nga Richard B. Lipton, në bashkëpunim me studiues të Shkollës së Mjekësisë “Albert Einstein”, Spitalit të Përgjithshëm të Masaçusets dhe “AbbVie”, kompanisë që financon dhe prodhon ilaçin.
Testimet u zhvilluan në 73 qendra mjekësore në SHBA, nga gushti 2020 deri në prill 2022.
Në studim morën pjesë 518 të rritur, që vuanin nga migrena dhe që mund të dallonin shenjat paralajmëruese përpara fillimit të dhimbjes.
Çdo pjesëmarrës u trajtua në dy faza: me “ubrogepant” dhe me “placebo”.
Rezultatet treguan se 65% e personave që morën “ubrogepant” raportuan se pas 24 orësh kishin pak ose aspak kufizim në aktivitetet e përditshme, krahasuar me 48% të grupit që u trajtuan me “placebo”.
Përmirësimi u vu re që pas 2 orësh nga marrja e dozës.
Ekspertët theksojnë se ky trajtim nuk funksionon njësoj për të gjithë, por mund të jetë veçanërisht efektiv për personat, që arrijnë të njohin fazën e hershme të migrenës, përpara shfaqjes së dhimbjes.
Sipas tyre, gjetjet sugjerojnë se trajtimi i migrenës mund të jetë më efikas kur nis në momentin e simptomave paralajmëruese dhe jo pasi dhimbja ka filluar.