Mediat greke publikojnë fotot dhe dosjet penale të tre të arrestuarve pas atentatit në qendër të Athinës. Njëri prej tyre ishte dënuar me 6 vite burg dhe kishte plagosur me 20 thika një person në vitin 2022…
Mediat greke kanë publikuar fotografitë dhe të shkuarën kriminale të tre personave të arrestuar pas sulmit me armë në zonën e Patisionit, në qendër të Athinës, ku një person mbeti i plagosur në këmbë.
Sipas Newsbomb, bëhet fjalë për dy shtetas shqiptarë dhe një shtetas grek, të gjithë të njohur për autoritetet greke për një sërë veprash penale, nga grabitjet dhe trafiku i drogës deri te armëmbajtja dhe dhuna e rëndë.
Ngjarja ndodhi të mërkurën pasdite, kur autorët e maskuar hynë në biznesin e viktimës dhe e qëlluan në këmbë, përpara se të largoheshin me një SUV ku i priste bashkëpunëtori i tyre.

Policia greke nisi menjëherë ndjekjen, ndërsa pamjet e publikuara tregojnë momentin kur automjeti i autorëve humb kontrollin dhe përplaset në zonën e Kifisosit. Gjatë arratisjes, autorët hodhën edhe armën, e cila më vonë u gjet nga policia brenda një qeseje supermarketi.
Sipas hetuesve, mënyra e sulmit tregon se objektivi ishte intimidimi dhe jo eliminimi fizik i viktimës, ndërsa pista kryesore lidhet me larje hesapesh dhe trafikun e drogës.
Në qendër të vëmendjes së mediave greke ka përfunduar sidomos shtetasi grek me inicialet K.P., i cili rezulton me precedentë të shumtë penalë dhe është ish-partneri i prezantueses së njohur Julia Nova.
Sipas dosjes së tij, në vitin 2022 ai plagosi me 20 goditje thike një person në një kioskë ushqimore, pas një konflikti banal sepse nuk duronte pritjen. Vetëm një vit më parë, në prill 2025, ai ishte arrestuar pasi ndaj tij ekzistonte një vendim dënimi me 6 vite burg.
Megjithatë, vetëm 13 muaj më vonë, ai rezulton i përfshirë në një tjetër ngjarje të rëndë kriminale në zemër të Athinës.
Mediat greke raportojnë se dosja e tij përfshin edhe raste të trafikut të drogës, grabitjeve dhe drejtimit të rrezikshëm të automjeteve. Aktiviteti kriminal, sipas autoriteteve, kishte nisur që në moshën 19-vjeçare.
Dy shqiptarët e arrestuar rezultojnë gjithashtu emra të njohur për policinë greke të paktën që prej vitit 2015. Ata kanë precedentë për grabitje dhe vjedhje, ndërsa njëri prej tyre ishte arrestuar më herët duke transportuar një arsenal të vogël armësh, ku përfshiheshin dy kallashnikovë dhe 90 fishekë.
As kjo nuk rezultoi e mjaftueshme për ta mbajtur pas hekurave.
Ngjarja ka rikthyer debatin në Greqi për kriminalitetin e përsëritur dhe faktin që persona me precedentë të rëndë penalë vazhdojnë të lëvizin të lirë dhe të përfshihen në episode të armatosura në qendër të Athinës./ Pamfleti