Tufa të mëdha kartëmonedhash, miliona euro të groposura në pyje dhe para të fshehura në depo fermash e kasaforta. Autoritetet hungareze kanë publikuar pamjet e operacionit gjatë të cilit sekuestruan rreth 17.7 milionë euro në para të gatshme, në kuadër të një hetimi për korrupsion që përfshin ish-ministrin e Zhvillimit, Miklós Seszták, gjatë qeverisjes së Viktor Orbánit.
Dengje me para të gatshme, të vendosura njëra mbi tjetrën, dhe shuma të mëdha të fshehura në vende të pazakonta. Këto janë pamjet që autoritetet hungareze kanë publikuar pas një operacioni dyditor, gjatë të cilit zbuluan miliona euro të groposura në pyje, të fshehura në ndërtesa, depo fermash, banesa private dhe kasaforta të sigurisë së lartë.
