Pas publikimit të rezultateve të analizave toksikologjike që përfshinë disa personazhe të njohur të ekranit turk, ka reaguar edhe aktorja Hafsanur Sancaktutan.
Hetimet, të zhvilluara nën drejtimin e Zyrës së Kryeprokurorit Publik të Stambollit, lidhen me një operacion për substanca të ndaluara, ku disa figura publike u morën në pyetje dhe iu nënshtruan analizave të gjakut, urinës dhe flokëve.
Sipas raportit të Institutit të Mjekësisë Ligjore, disa prej të testuarve rezultuan pozitivë për gjurmë substancash të ndaluara, mes tyre edhe Sancaktutan, çka ka sjellë reagime të menjëhershme në media dhe rrjete sociale.
Në një deklaratë publike, aktorja ka mohuar kategorikisht përdorimin e çdo substance të paligjshme, duke shprehur tronditjen e saj dhe duke theksuar se do të kërkojë një ritestim zyrtar për të sqaruar situatën.
Ajo ka deklaruar se është e bindur për një keqkuptim dhe është e gatshme të bashkëpunojë plotësisht me autoritetet për të vërtetuar të kundërtën e rezultateve të publikuara.