I pyetur nëse kompanitë e naftës kishin bërë ndonjë angazhim konkret, Wright i tha CNN se kishte “interesim të jashtëzakonshëm”, por nuk konfirmoi se ishte arritur ndonjë marrëveshje.
Wright tha se Chevron, kompania e fundit amerikane që operon në Venezuelë, u ka thënë zyrtarëve federalë se sheh një “rrugë për të rritur prodhimin e saj me 50 për qind në 18 deri në 24 muajt e ardhshëm”, por pa u angazhuar financiarisht për këtë.
Më herët gjatë takimit, presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se kompanitë e naftës do të investonin “të paktën 100 miliardë dollarë nga paratë e tyre” për të ndërtuar dhe zhvilluar infrastrukturën e naftës në Venezuelë.
S’ka investime miliarda dollarë në Venezuelë,
Gjatë një takimi midis drejtuesve të kompanive amerikane të naftës dhe Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, D.C., më 9 janar 2026. SAUL LOEB/AFP
Wright tha se kjo shumë parash do të ishte ajo që nevojitet për të rritur industrinë e naftës së vendit gjatë dekadës së ardhshme, nëse Venezuela “është paqësore dhe bëhet një shtet më funksional ligjërisht, me një mjedis më të mirë operimi”.
Venezuela ka rezerva të provuara të naftës prej rreth 300 – 303 miliardë fuçi, që e vendosin si rezervat më të mëdha të naftës në botë rreth 17 për qind të rezervave globale.
Në vlerë monetare, nëse llogaritet vetëm në bazë të çmimeve aktuale të naftës (rreth 57 – 60 dollarë për fuçi), këto rezervë mund të arrijnë rreth 17 – 18 trilionë dollarë ose edhe më shumë, në varësi të çmimeve në treg.
Trump u premton “siguri totale” nëse investojnë në Venezuelë
Ndërkohë Presidenti amerikan, Donald Trump u premtoi gjigantëve të naftës “siguri totale, mbrojtje totale” në Venezuelë, në një përpjekje për t’i bindur ata të investojnë 100 miliardë dollarë në infrastrukturën e vendit, pasi forcat amerikane rrëzuan nga pushteti Nicolás Maduro.
Në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë të premten pasdite me një sërë drejtuesish të industrisë së naftës, përfshirë drejtues nga Chevron, ExxonMobil dhe ConocoPhilips, presidenti amerikan i dyfishoi pretendimet se arrestimi i Maduros u ofron kompanive amerikane të naftës një mundësi të paparë për nxjerrje e saj.
Shumë nga drejtuesit shprehën mbështetje për veprimet e administratës Trump në Venezuelë fundjavën e kaluar dhe lanë të kuptohej se ishin të gatshëm të investonin.
Ndërkohë, analistët kanë shprehur skepticizëm se firmat e naftës do të investojnë shuma të mëdha aq shpejt sa ka sugjeruar Trump. Më parë këtë javë, presidenti sugjeroi se prodhimi në Venezuelë mund të rritet brenda 18 muajve.
“Do të nxjerrim shifra në terma të naftës që pak njerëz i kanë parë. Venezuela do të jetë shumë e suksesshme dhe populli i Shteteve të Bashkuara do të jetë përfitues i madh”, tha Trump.
Trump tha gjithashtu se investimi do të vinte nga kompanitë e naftës, jo nga qeveria federale. Më herët gjatë javës, ai kishte sugjeruar që taksapaguesit amerikanë mund të financonin investimet e tyre.
“Plani është që ata të shpenzojnë, që do të thotë se kompanitë tona gjigante të naftës do të shpenzojnë të paktën 100 miliardë dollarë nga paratë e tyre, jo paratë e qeverisë. Ata nuk kanë nevojë për para qeveritare, por kanë nevojë për mbrojtje dhe siguri qeveritare”, tha ai.
Ndërsa u ofroi atyre “siguri të plotë”, presidenti sugjeroi gjithashtu se disa nga firmat e naftës të pranishme nuk kishin nevojë për ndihmën e qeverisë amerikane.
“Këta janë njerëz që shpojnë naftë në disa vende mjaft të vështira. Mund të them se disa nga ato vende e bëjnë Venezuelën të duket si një piknik”, u shpreh ai.