Autori, Vincenzo Lanni, e goditi viktimën nga pas me një thikë me teh 23 centimetra të gjatë, duke i shkaktuar plagë të rënda. Sipas hetimeve, 60-vjeçari nuk kishte asnjë njohje apo konflikt të mëparshëm me gruan, të cilën e kishte zgjedhur rastësisht. Pamjet e kamerave të sigurisë ndihmuan hetuesit në rindërtimin e dinamikës së sulmit.
Vendimi u shpall nga gjyqtarja e seancës paraprake në Gjykatën e Milanos, Chiara Valori, në përfundim të gjykimit me procedurë të shkurtuar. Lanni u shpall fajtor për tentativë vrasjeje, me rrethanën rënduese të paramendimit. Prokurorja Maria Cristina Ria kishte kërkuar një dënim më të rëndë, prej 12 vitesh e 2 muajsh burg.
Nuk ishte hera e parë që përfshihej në sulme me thikë
Sipas mediave italiane, Lanni kishte vuajtur më parë një dënim prej tetë vitesh burg për dy tentativa vrasjeje të kryera në vitin 2015, kur kishte sulmuar me thikë dy pensionistë në provincën e Bergamos.
Pas përfundimit të dënimit, ai ishte liruar, pasi ishte vlerësuar se nuk përbënte më rrezikshmëri shoqërore.
Gjatë hetimeve për sulmin në Milano, ekspertiza psikiatrike konstatoi se 60-vjeçari kishte aftësi të plota për të kuptuar dhe kontrolluar veprimet e tij në momentin e ngjarjes, pavarësisht problemeve të shëndetit mendor. Hetuesit zbuluan gjithashtu se thikën e kishte blerë vetëm pak ditë përpara sulmit.
Tre vite mbikëqyrje pas burgut dhe 50 mijë euro dëmshpërblim
Përveç dënimit me 10 vite burg, gjykata vendosi që pas përfundimit të tij, Lanni t’i nënshtrohet edhe një mase sigurie me tre vite mbikëqyrje. Ai duhet t’i paguajë gjithashtu viktimës 50 mijë euro si dëmshpërblim paraprak.
Avokati i 43-vjeçares, Paolo Cardone, bëri të ditur se klientja e tij po rikuperohet fizikisht, por vijon të përballet me pasojat psikologjike të sulmit.
“Ajo po merr veten, është gjallë për mrekulli, për shkak të vetëm disa centimetrave, dhe po ndjek një proces rehabilitimi psikologjik pas traumës”, deklaroi Cardone.
Sipas tij, mbërritja e shpejtë e ambulancës në vendngjarje ka qenë një faktor vendimtar për shpëtimin e jetës së gruas.
Pas arrestimit, Lanni kishte deklaruar se synimi i tij nuk ishte të vriste dikë, por të godiste atë që e konsideronte si pushtet ekonomik. Ai pretendonte se objektivi i tij ishte një punonjës banke, në një institucion ku kishte punuar më parë dhe nga i cili, sipas pretendimeve të tij, ishte larguar padrejtësisht.
Vincenzo Lanni ndodhet aktualisht në burgun San Vittore të Milanos, ku ishte edhe në momentin e shpalljes së vendimit.