Sipas arsyetimit të vendimit të Apelit, të siguruar nga Insajderi, përfshirja e Murselit në kryerjen e veprës penale nuk është kufizuar në planifikimin paraprak dhe sigurimin e armës, por ka përfshirë edhe veprime të drejtpërdrejta në natën e ngjarjes. Gjykata ka vlerësuar se mbajtja e viktimës për krahu, në mënyrë që të mundësohej goditja e saktë me armë zjarri, përbën element të dinakërisë në kryerjen e vrasjes.
Në vendimin e Apelit theksohet se Gjykata Themelore ka vërtetuar drejt se Murseli, për shkak të raporteve të çrregulluara bashkëshortore dhe motivit të përfitimit material, kishte planifikuar vrasjen e Liridona Ademajt. Sipas konstatimeve gjyqësore, ai e kishte sjellë viktimën në vendin e ngjarjes, së bashku me dy fëmijët e tyre, të moshës katër dhe gjashtë vjeç.
Gjykata, po ashtu, ka konstatuar se Murseli kishte ndaluar veturën dhe i kishte dhënë shenjë me drita Granit Plavës, ndërsa më pas kishte mbajtur viktimën për krahu, gjatë momentit kur Plava kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të saj.
Këto rrethana, sipas arsyetimit të vendimit, mbështeten në dëshminë e Leonard Ademajt, vëllait të viktimës, i cili i kishte përcjellë deklarimet e fëmijës së Liridona Ademajt, që ishte i pranishëm në vendngjarje. Gjykata i ka vlerësuar këto dëshmi në ndërlidhje me ekspertizën mjekoligjore dhe deklarimin e ekspertit Naim Uka, të cilat, sipas vendimit, konfirmojnë ndrydhjen në krahun e viktimës, në përputhje me përshkrimin e ngjarjes.
Apeli ka vlerësuar se veprimet e Murselit, në ndërthurje me rrethanat e tjera të rastit, përmbushin elementin e dinakërisë si formë kualifikuese e veprës së vrasjes së rëndë.
Në arsyetimin e gjykatës, si rrethana që mbështesin ligjshmërinë dhe drejtësinë e dënimit me burgim të përjetshëm, janë përmendur mënyra e kryerjes së veprës, prania e fëmijëve në vendngjarje, shkalla e lartë e dashjes dhe mungesa e rrethanave lehtësuese që do të mund të ndikonin në zbutjen e dënimit.