Autoritetet shëndetësore në Spanjë po hetojnë tre raste të lidhura me shpërthimin e hantavirusit që nisi në anijen turistike luksoze “MV Hondius”, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë vijon të vlerësojë rrezikun për publikun si të ulët.
Rasti më i fundit në Spanjë përfshin një grua 32-vjeçare nga provinca Alicante, e cila ka shfaqur simptoma të lehta të frymëmarrjes dhe po testohet për hantavirus. Sipas autoriteteve, rezultatet e analizave priten brenda 24 deri në 48 orëve.
Sekretari spanjoll i Shtetit për Shëndetësi, Javier Padilla, deklaroi se gruaja kishte qenë ulur dy rreshta pas një pasagjereje holandeze në një fluturim nga Johannesburgu më 25 prill. Pasagjerja holandeze, e infektuar me virusin në bordin e “MV Hondius”, ishte ndjerë keq gjatë fluturimit dhe më vonë ndërroi jetë në spital.
Padilla theksoi se kontakti mes tyre kishte qenë “shumë i shkurtër”, pasi gruaja holandeze kishte qëndruar vetëm pak kohë në avion. Megjithatë, autoritetet rajonale të Valencias kanë nisur gjurmimin e kontakteve të gruas spanjolle gjatë ditëve të fundit.
Shpërthimi i hantavirusit lidhet me një grup rastesh të identifikuara në anijen turistike me flamur holandez, e cila ishte nisur nga Argjentina në muajin mars me rreth 150 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi. Anija kishte ndaluar në Antarktidë dhe më pas në ishullin Tristan da Cunha në Atlantikun Jugor.
Deri tani, tre persona, një çift holandez dhe një shtetas gjerman, kanë humbur jetën pas infektimit. Katër raste të tjera janë konfirmuar në Holandë, Afrikën e Jugut dhe Zvicër.
Sipas OBSH-së, disa nga rastet janë shkaktuar nga varianti “Andes” i hantavirusit, i vetmi lloj që mund të transmetohet mes njerëzve, zakonisht përmes kontaktit të ngushtë dhe të zgjatur me persona simptomatikë.
Ekspertët ndërkombëtarë kanë theksuar se virusi nuk përhapet lehtë dhe se nuk ka vend për alarm. Megjithatë, shpërthimi ka vënë në gatishmëri autoritetet shëndetësore në disa vende, ndërsa pasagjerët e anijes po monitorohen për simptoma të mundshme.
Anija “MV Hondius” pritet të ankorohet në Tenerife të Ishujve Kanarie, ku pasagjerët dhe ekuipazhi do t’i nënshtrohen kontrolleve shëndetësore sipas protokolleve të OBSH-së.