Irani ka njoftuar se më shumë anije tani mund të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët detare më strategjike në botë, nën koordinimin e forcave detare të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC). Kjo hapje vjen pas një periudhe tensionesh të larta dhe kufizimesh në trafikun detar.
Sipas transmetuesit shtetëror iranian, mbi 30 anije janë autorizuar të kalojnë nëpër kanal gjatë 24 orëve të fundit. Agjencia e lajmeve Tasnim raportoi se “disa anije kineze” kanë marrë leje specifike për tranzit. Kalimi i tyre filloi që nga mbrëmja e së mërkurës, pas një mirëkuptimi mbi protokollet e reja iraniane.
Autorizimi për kalimin e disa anijeve tregon se shumë vende kanë pranuar protokollet e reja ligjore të prezantuara nga Irani dhe forcat detare të Gardës Revolucionare Islamike në këtë rajon dhe në Ngushticën e Hormuzit.
Këto protokolle përfshijnë përdorimin e korridoreve të caktuara, njoftimin paraprak dhe koordinimin me autoritetet iraniane.
SHBA-ja nga ana tjetër ka paralajmëruar anijet që përdorin Ngushticën që të mos i pranojnë kushtet e Iranit pasi mund të përballen me sanksionet amerikane.