Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi se Teherani nuk ka besim tek Shtetet e Bashkuara dhe është i gatshëm për negociata me Uashingtonin vetëm nëse ato janë serioze për t’i dhënë fund konfliktit. Gjatë një vizite në New Delhi për të marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të BRICS, Araghchi tha se nuk ka besim te SHBA.
“Teherani nuk ka besim te SHBA-të. Jemi të interesuar për negociata vetëm nëse amerikanët tregojnë seriozitet për t’i dhënë fund luftës”, tha ai..
Lidhur me përpjekjet e ndërmjetësimit nga Pakistani, ministri iranian tha se procesi nuk ka dështuar, por ndodhet aktualisht në “vështirësi”.
Duke reaguar ndaj komenteve të sotme të Presidentit Donald Trump, Abbas Araghchi njoftoi se Irani dhe Omani po konsultohen për të krijuar një mekanizëm të përbashkët për menaxhimin e ardhshëm të Ngushticës së Hormuzit.
“Po konsultohemi për të krijuar një mekanizëm të përshtatshëm për menaxhimin e ardhshëm të Ngushticës së Hormuzit dhe për të siguruar kalimin e sigurt të të gjitha anijeve”, tha ai.
Më herët, Araghchi kishte propozuar që Irani dhe Omani të bashkëpunojnë për kontrollin e ngushticës strategjike, përmes së cilës kalon një pjesë e madhe e tregtisë botërore të naftës.
Deklaratat e ministrit iranian vijnë në një kohë tensioni të lartë në rajon, pas mbylljes së përkohshme të Ngushticës së Hormuzit dhe kërcënimeve për sigurinë e lundrimit ndërkombëtar.
Irani ka insistuar se çdo zgjidhje për ngushticën duhet të përfshijë vendet bregdetare të Gjirit Persik dhe të garantojë interesat e tij kombëtare. Ende nuk ka pasur reagim zyrtar nga Shtetet e Bashkuara për komentet e fundit të Araghchit.