PËLLUMB VREKA
Vijon nga numri i kaluar
I tmerruar e duke u dridhur e mori trupin dhe e la buzë rruge që të dukej. Mori makinën e ia mbathi për në shtëpi. Praktikisht kjo ishte një praktikë e njohur. Ushtria gjermane për të kursyer plumbat i mbushnin kamionët me të burgosur dhe një tub lidhej me marmitën e hynte duke u shfryrë në karroceri. Vdekja ishte e menjëhershme, pa zhurmë dhe e “ëmbël”. S.K. në shtëpi nuk e zinte vendi. I kish hyrë thotë populli “Tartakuti”. Gruaja e pyeti disa herë por, ai justifikohej me punën e vështirë, etj., broçkulla. Megjithatë gruaja që dyshonte se diçka kish i shoqi, shkon në Degën e Brendshme dhe raporton tek oficeri operativ. Ai, pa çak pa bam, thirri S.K. dhe e mori në pyetje. Duke e mbajtur brenda në birucë, pa një vendim gjykate. Nga këqyrja e rrethanave të ngjarjes ku u vërtetua se një nyje dërrase e dyshemesë kish rënë dhe fatkeqësisht ishte sipër marmitës, kështu kabina e mbyllur hermetikisht helmoi të gjorin. Pra, S.K. doli i pafajshëm. Deri këtu mirë. por nuk ishte mirë për Oficerin e Sigurimit, i cili i ngriti kurthin për ta bërë bashkëpunëtor.
– Ti, S.K. i thotë, sigurimsi je fajtor për vdekjen dhe fshehjen e ngjarje, sipas Kodit X, e Y, ti do dënohesh me dhjetë vjet burg.
– S.K. sa nuk i ra të fikët.
– Por, ka një gjë thotë sigurimsi, unë e kam në dorë ta mbyll këtë çështje, (vërtet në dorë e kishte se ata ishin vetë Ali e vetë Kadi). Por duhet të zgjedhësh, o burgun ose të firmosësh si bashkëpunëtor i yni e të na raportosh çdo gjë që do të të kërkojmë. Kurthi (Çarku) u shkreh, S.K. mbeti brenda. Pranoi të firmosë e të evitoj burgun. Kështu (oficerit operativ sigurimsit) iu shtua edhe një spiun “Pa dashje”!
Një kurth tjetër i burgosuri Remo T. kishte disa muaj që hante grushte e shqelma, e fusnin në ujë të ftohtë akull, e mbanin të lidhur në këmbë në dhomën e izolimit, për ta detyruar të pranonte atë që i kërkonte punëtori operativ me hetuesin. Mos o Zot, ku dorëzohej Remua, sepse gjykonte që kishte plotësisht të drejtë. Kur mendoi, se ngaqë nuk i imponuan të pranonte, mendja i shkoi se do ta lironin. Mendja e tij, por jo, mendja djallëzore e hetuesit, i cili pasi e zgjidhi Remon nga karrigia e ngulur e betonuar në dysheme, e kapi nga krahu dhe me “Delikatesë” e afroi tek dritarja.
– Shiko pak tek pema, – i tha, – se kush të ka ardhur për vizitë. Nën pemë e mbështetur Remua kapsalliti sytë, duke parë të shoqen e veshur me një fustan të kuq me pika të bardha, si një sorkadhe. (ishte e re, njëzet e dy vjeçe). Lotët e remos rrodhën nëpër faqe.
– Zgjidh e merr, nusja jote do flej këtu sot në dhomën tonë, timen dhe të hetuesit, do firmosësh apo jo?! I shkreti Remo, nuk i mbanin gjunjët dhe me zë të mekur tha:
– Po. Kurthi funksionoi. Remo u thye. Oficeri operativ dhe hetuesi korrën sukses për t’ia raportuar kryetarit të Degës se i burgosuri Remo me dëshirë e pa asnjë imponim pranoi fajin e sabotimit…!
Kurthi familjar. Tipik është rasti i Fiqirete Shehut (Sanxhaktarit), pasi u mbajt me muaj të tërë me kaskë në kokë (demek se mos vriste veten) e me qindra orë hetuesi, ku i kërkohej të pranonte “Tavën” që i kish përgatitur Sigurimi i Shtetit ajo kuptohet nuk pranonte.
Me asin nën mëngë hetuesit i vunë përpara alternativën familjare:
– Po nuk pranove, do të burgosim soj e sorollop të familjes. E tmerruar dhe me besim të verbër, duke parë se ç’kish hequr vetë, pranoi.
– Pranoj, – tha të them çdo gjë, veç fëmijët e mi lini të qetë.
– Po, patjetër. Pa merak, veçse para trupit gjykues do lexosh ato që do të japim ne.
Deklarata që lexonte Fiqirete, demek me një ndershmëri e pastërti, bëri bujë të madhe në sallë. Mirëpo e shkreta gjatë leximit jo vetëm dridhej por, ngatërronte edhe rreshtat (kuptohet kur nuk e shkruan vetë), akuzat që bënte ishin komplet të pabesueshme, aq sa Kadriu nga fundi i sallës, kur e përmendte Fiqireti tha:
– Jepi, jepi, gri si gramafon i prishur! Kështu kurthi i Sigurimit funksionoi dhe direkt iu raportua Enverit si një “zbërthim”, me dëshirë e pa imponim të Fiqiretes. Ç’mund të bënte tjetër Sigurimi i Shtetit kur e burgosura deklaronte me ndërgjegje të qetë e dëshirë pa imponim, sigurisht do t’i merrte njëqind për qind të vërteta.
Kur udhëtoja me Ramiz Alinë nga Athina në Tiranë (Ai kish kryer baj pass me ndihmën financiare të Partisë Komuniste Greke, KKE), e pyeta ndër të tjera:
– Si e shpjegoni ju shoku Ramiz që bashkëluftëtarin e bashkudhëtarin tuaj, psh., Beqir Ballukun e pushkatuat?
– Epo, kur, gjeneratë e akuzuan dhe ai pranoi në Plenum që:
– Kam sabotuar vijën e partisë. Ç’pret ti të them unë, që ti Beqir je i mirë e nuk ke gabuar, etj. etj. Dhe Enveri për ta zhytur më thellë duke pranuar edhe ato që nuk i kish bërë i thoshte:
– Tani të shkarkuam, por partia të do, ku mendon ti që të punosh për të shlyer fajet?
Kurth safi prej diplomati sepse kur Beqiri të jepte mendimin sigurisht në hyrje e në mbyllje do pranonte edhe ca faje të tjera për të cilat partia po vinte dorën në zemër! Megjithatë, duhet pranuar se pavarësisht moçalit të Sigurimit, kishte edhe elementë të ndershëm që nuk pranonin kurthet e sigurimit. Unikal është romani i shkrimtarit Neshat Tozaj, “Thikat”. Një ngjarje reale por, me pisllëkun e sigurimit brenda. Në ato vite, dy adoleshentë me biçak (thikë e vogël xhepi ose çelësash që palosen), u kapën duke shpuar gomat e makinave të ambasadave. Një akt, që u quajt, patriotik. Pra ngjarja ishte komplet ordinere, mirëpo sigurimi këto i quajti në deklaratat e veta si armë të ftohta, demek, ishin goxha të mëdha. Sigurimi dhe hetuesi i çështjes për të çuar deri në fund akuzën e sabotimit me armë të ftohta dhe ata të dy të mbeteshin patjetër në burg, ndërhynë tek eksperti kriminalistik që të deklaronte se bëhej fjalë për termin “Armë të ftohta”. Mirëpo eksperti i laboratorit duke parë kurthin e ngritur nga hetuesi për t’i rrasur të dy ordinerët me patjetër në burg, jo vetëm nuk pranoi të ndryshonte emërtimin nga “Biçak” në “Armë të ftohtë” por bëri edhe kallëzim për presion, ndaj tij si specialist i pavarur. Por, krahas këtyre varianteve që thamë më sipër për të dënuar me patjetër ata që donin ata, duke mbushur kështu planin e tyre djallëzor, ekzistonte dhe praktikohej edhe një lloj kurthi tjetër vetjak i sigurimsave, ai i epshit erotik. Duke pasur fuqi të pakufizuara në ushtrimin e presionit e shantazhit pa diskutuar për torturën, ata shfrytëzonin çdo mundësi seksuale që u binte në dorë. Ka pasur me dhjetëra e qindra raste kur oficeri operativ aprovonte grupet artistike që do shkonin jashtë, shfrytëzonte mundësinë t’i përdorte femra për vete e pastaj të firmoste aprovimin se: E meriton të shkojë jashtë shtetit se është…e “Pastër”. Pse punëtori operativ që mbulonte ndërmarrjet me shumicën e punonjësve femra, po t’ia vinte syrin ndonjërës (gjë e zakonshme) shfrytëzonte çdo mundësi për një akuzë dhe pastaj fillonte presioni. Flagrant është rasti i Rukies, vajzës bukuroshe 17-vjeçare nga Malësia e Gjakovës, nga Tropoja.
Ngjarje e cila është pasqyruar gjerësisht edhe në media ku del në pah (me fakte e emra) se si operativi i zonës për ta shtënë në dorë, nuk la makinacion e akuzë pa bërë. Kalvari i torturës ndaj një vajze të pafajshme (faji i vetëm ishte se ishte e re dhe e bukur), nga një person (nuk ishte i vetmi) pervers i veshur me pushtet absolut. Por, vendosmëria, guximi e krenaria e Rukies, triumfoi karshi banditit shtetëror. Këtë bandit për shkak të diskreditimit që iu bë, Partia e Sigurimi u detyruan ta transferojnë në një zonë tjetër. Vini re, ta transferojnë, e jo ta shkarkonin apo përjashtonin nga radhët e Sigurimit. Dile M… (emrat e ngjarja është reale), banonte në një fshat ku së bashku me moshataret mbaroi shkollën tetëvjeçare. Mirëpo njëri nga shokët e klasës e dashuronte marrëzisht Dilen. Njëkohësisht Diles i binte më qafë duke i shprehur “Dashurinë” e pakufishme edhe punëtori i Sigurimit të zonës për të cilin Dilja kishte simpati, ndërsa për Nduen jo. Për këtë ajo i ishte shprehur disa herë Ndues se dashuronte dikë tjetër me synimin se do martohej. Dhe ky ishte Zaimi, oficeri i Sigurimit të zonës që kishte edhe një zyrë në atë fshat. Dilja duke menduar e gjykuar se dashuria e martesa vinte një herë në derë, u dha e gjitha pas Zaimit aq sa mbeti shtatzënë. Pas marrjes vesh se kish mbetur shtatzënë Dilja i shkoi në zyrë zaimit dhe i thotë:
– Zaim, kemi bërë një gabim, unë jam shtatzënë kështu duhet të martohemi e të mbyllet ky mëkat sipas zakonit të fshatit.
– Ç’thua, – iu hakërrua Zaimi (i cili ishte mësuar edhe me femra të tjera), – shko abortoje e mos më shkel më në zyrë se të rras brenda.
– Dilja e tmerruar, duke parë harbutërinë e të “Dashuruarit” shkon e mbyllet në shtëpi duke qarë hallin me të ëmën për turpin që e zuri.
Për dy ditë, Zaimi u zhduk nga fshati, ditën e dytë në shtëpinë e Diles )i ati ishte në mal), ia mbinë nja tre policë dhe një oficer Sigurimi të cilët me një xhip GAZ67, marrin forcërisht Dilen dhe zhduken në errësirë.
-Shpejt do ta kthejmë i thanë të ëmës.
Kthehet i ati dhe shkon në Degën e Brendshme, ku militonte edhe seksisti Zaim dhe kërkon kryetarin, i thonë kryetari nuk ndodhet, kërkon dhe takon nënkryetarin duke i kërkuar shpjegim se ku ndodhej vajza e tij. (I ati ishte tipik malësor me burrëri e karakter). Nënkryetari i thotë:
– Pa merak, e kemi në dorë e po e marrim në pyetje për një çështje. Në fakt Dilen Dega e Brendshme e kish dërguar e mbyllur në një qytet tjetër në ato shtëpitë sekrete të survejimit e të përpunimit që dispononte zakonisht Sigurimi i Shtetit.
I tërbuar, pa shpjegim konkret nga organet shtetërore, i ati shkon në zyrën e Zaimit dhe i kërkon shpjegim: “Ç’ka ndodhur me vajzën time? Me të cilën me sa mora vesh, ti ke pasur edhe marrëdhënie deri sa e ke lënë shtaëzënë”?
Zaimi si i plotfuqishëm që ishte duke menduar se do ta hiqte qafe (si të tjerët) i hakërrehet:
– Vajzën tënde nuk e njoh fare, nuk e kam takuar asnjëherë, prandaj m’u zhduk nga zyra e shko kërkoi llogari dashnorëve të saj si Ndueja.
I ati, pa thënë asnjë fjalë, shkon në shtëpi, merr pushkën dhe shkon në lokalin e fshatit ku ndërmjet fshatarëve, shquan Zaimin duke rrëkëllyer nga një gotë) ia donte zanati të ulej me këdo, me Nduen.
Ngre pushkën, ia drejton Zaimit dhe i thotë:
– Këtë e ke për nderin që i more vajzës sime dhe e zbrazi dy herë. Zaimi vdiq në vend.
– Ty, iu kthye Ndues, nuk po të vras si thashethemaxhiu i fshatit që je, por Zoti do të marr hak. Vërtet “Zoti” e dëgjoi fjalën e babait të Diles dhe pas nja dy a tre muajsh Ndueja vdiq në një aksident.
I ati Diles, me pushkën në krah, shkoi e u dorëzua në Degën e Punëve të Brendshme duke treguar të gjithë ngjarjen dhe perversitetin e Zaimit si njeriu i pështirë i zonës.
Me kaq, Zaimi, oficeri i plotfuqishëm i Sigurimit të Shtetit pagoi gjynahet e tij që u kish bërë vajzave e fshatarëve të pafajshëm, duke marrë një plumb pas qafe. Si ajo shprehja kuptimplotë e filmit “Dhe vjen një ditë” dmth., vjen një ditë e paguan për pisllëqet që ke bërë.
Por, i dashur lexues edhe kjo është relative sepse me ardhjen e demokracisë shumë oficerë Sigurimi që kishin dënuar të pafajshëm dhe kishin lyer duart me gjak, zunë poste kyçe edhe në demokraci. Kjo i atribuohet faktit se ata duke ditur shumë e duke pasur në dorë dokumente të bashkëpunëtorëve të tyre u bën presion që jo vetëm të mos i dënonin, por t’u jepnin edhe poste deri edhe në administratën e “Avokatit të Popullit”. Këtu hynë ajo shprehja tjetër: “Bëj si të them unë, përndryshe do flas!”
Autori, drejtor i revistës “Hosteni”