Bashkëshortja e reperit Mc Kresha, Erzina, ishte e ftuar speciale në emisionin “Goca dhe Gra”, ku në panel ndodhej edhe këngëtarja Rozana Radi, ish-partnerja e reperit të njohur.
Gjatë bisedës, Erzina komentoi intervistën e shumëpërfolur të Mc Kreshës me Rozana Radin, duke u shprehur se e kishte parë si një komunikim korrekt dhe të respektueshëm.
“Intervista e Mc Kreshës m’u duk shumë mirë, shumë korrekt”, u shpreh ajo gjatë emisionit.
Në fokus të diskutimit ishte tema e marrëdhënieve mes ish-partnerëve pas ndarjes. Erzina deklaroi se, sipas saj, kur një lidhje përfundon dhe çifti nuk ka fëmijë bashkë, nuk ka arsye që komunikimi të vazhdojë në mënyrë të afërt.
Ajo theksoi se respekti mbetet gjithmonë i rëndësishëm, por komunikimet e vazhdueshme pas ndarjes nuk kanë kuptim kur secili ka vijuar jetën e tij.
“Nëse takohesh rastësisht, një përshëndetje është normale. Por nuk ka pse të vazhdojnë bisedat ‘si je’ apo ‘çfarë po bën’, sepse gjërat kanë përfunduar”, u shpreh Erzina.
Nga ana tjetër, ajo bëri dallimin për rastet kur ish-partnerët kanë fëmijë, duke theksuar se në situata të tilla komunikimi mbetet i domosdoshëm për shkak të përgjegjësive familjare.
Mendimit të saj iu bashkua edhe Rozana Radi, e cila deklaroi se një histori që përfundon, zakonisht mbyllet për arsye konkrete dhe nuk sheh arsye për të kërkuar këshilla apo mbështetje te një ish-partner.
Në fund të emisionit, Rozana Radi vlerësoi praninë e Erzinës në studio, duke e cilësuar atë si një zonjë të respektuar dhe duke shprehur kënaqësinë për pjesëmarrjen e saj në program.