I zgjedhur nga Trump për popullaritetin e tij në televizion, ai është bërë një figurë shkatërruese dhe kontraverse. Midis motiveve fetare dhe thirrjeve për dhunë, demokratët kanë bërë thirrje për shkarkimin e tij nga detyra.
Sulme masive ndaj Iranit pa autorizim nga Kongresi, krime lufte për bombardimin e një shkolle për vajza ku humbën jetën 160 të mitura, abuzim me pushtetin në përpjekje për të ndëshkuar dhe larguar zyrtarë që u kujtonin ushtarëve detyrimin për të mos zbatuar urdhra të paligjshëm, si dhe pengim i veprimtarisë së Parlamentit për refuzimin e dorëzimit të dokumenteve dhe dëshmive, përfshirë edhe skandalin “Signalgate” me publikimin e informacioneve ushtarake tepër sekrete: kjo është lista e gjatë e akuzave mbi të cilat demokratët kanë bazuar kërkesën për shkarkimin e Pete Hegseth.
Shefi i Pentagonit nuk rrezikon realisht në Kongres, ku demokratët janë në pakicë, por disa e shohin situatën si një ogur negativ për ish-prezantuesin e Fox News, i kthyer nga Trump në ministër të Mbrojtjes (dhe tashmë edhe të Luftës). Kjo për faktin se edhe dy anëtarë të tjerë të qeverisë, ministrja e Drejtësisë Pam Bondi dhe ajo e Brendshme Kristi Noem, megjithëse u mbrojtën fort nga Trump, më pas u shkarkuan nga presidenti.
A do të ketë i njëjti fat edhe Hegseth? Kjo duket pak e mundshme, megjithëse disa herë, për shkak të gafave dhe qëndrimeve të tij, është përfolur edhe brenda Shtëpisë së Bardhë për një zëvendësim të mundshëm. Fillimisht mendohej se Trump e kishte zgjedhur për popullaritetin e tij televiziv mes konservatorëve, por sot Hegseth është kthyer në një figurë përçarëse, me ndikim që shkon përtej komunikimit publik.
Ai ka ndryshuar edhe mënyrën se si prezantohet roli i Pentagonit, duke përdorur një gjuhë të ashpër dhe kërcënuese, ku fuqia ushtarake amerikane dhe lufta paraqiten si një mision me dimension hyjnor. Sipas raportimeve, ai sfidon kufijtë ligjorë të detyrës së tij, duke deklaruar se në luftë SHBA duhet të injorojë Konventën e Gjenevës dhe të drejtën ndërkombëtare, duke ushtruar “zero mëshirë”.
Nën drejtimin e tij, Pentagoni përshkruhet si një ambient ku përzihen strategjia ushtarake dhe retorika fetare, me lutje dhe referenca biblike që shoqërojnë diskutimet për operacione dhe armë. Në vend të retorikës tradicionale të parandalimit, përdoret gjithnjë e më shumë një gjuhë që i referohet “dhunës dërrmuese” dhe ndëshkimit hyjnor.
Një episod i fundit lidhet me një fjalim të Hegseth në Pentagon, ku ai citoi një varg biblik, që në fakt rezultoi të ishte një version i njohur nga filmi “Pulp Fiction” i Quentin Tarantino. Rasti nuk u interpretua thjesht si gafë, por si pjesë e një tendence për të përdorur referenca fetare për të justifikuar përdorimin e forcës.
Hegseth ka promovuar gjithashtu organizimin e shpeshtë të shërbesave fetare brenda Pentagonit, ku diskutohet njëkohësisht për teologji dhe kapacitete ushtarake. Në këto takime, retorika tradicionale e mbrojtjes së paqes zëvendësohet me referenca për shkatërrim biblik.
Sipas raportimeve, ai i ka atribuar edhe një njësie ushtarake amerikane një lutje ku kërkohet ndihma hyjnore për të ushtruar “hakmarrje të madhe” dhe “dhunë dërrmuese” ndaj kundërshtarëve.
Pentagoni ka mohuar disa nga këto interpretime, por debati mbetet i hapur. Fenomeni i përdorimit të simbolikës fetare në kontekst ushtarak duket se shtrihet edhe përtej Pentagonit, duke reflektuar një prirje më të gjerë në diskursin politik amerikan.
Në këtë kontekst, edhe qëndrimet e fundit politike, përfshirë kritikat e Trump ndaj Papës për thirrjet për paqe dhe komentet e JD Vance ndaj Vatikanit, sugjerojnë se qasja e Hegseth nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një linje më të gjerë brenda administratës.