Kur flitet për miliona në Shqipëri, shifrat nuk janë thjesht numra në letër janë skenarë të gatshëm për filma me metrazh të gjatë, ku protagonistët kryesorë janë gjithmonë të njëjtët “yje” të qeverisë. Këtë herë, furtuna e madhe e naftës dhe e parave të “Bankers Petroleum” ka marrë përpara ish-zv/kryeministren Belinda Balluku. Një skandal që po hetohet nga SPAK dhe peshon miliona euro dëm. Prej vitit 2019, si ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Balluku kishte detyrën ligjore dhe institucionale të kontrollonte, të ndërhynte dhe të ndëshkonte shkeljet që Bankers Petroleum i përsëriste çdo vit, por zgjodhi heshtjen.
Skandali Bankers nuk është produkt i një kompanie të keqe, por rezultat i një shteti që dështoi me dashje në çdo hallkë: nga AKBN që miratonte shpenzime të fryra pa asnjë verifikim, te Albpetrol që nuk ushtroi kontroll teknik e financiar, te Drejtoria e Tatimeve që rimbursonte TVSH mbi “humbje” të fabrikuara, e deri te Ministria e Energjisë që nuk ndërmori asnjë veprim ligjor për të ndalur zhvatjen. Sot, dosja e Bankers nuk është jo thjesht një aferë e rëndë fiskale, por një dëshmi e zhveshjes totale të shtetit nga dinjiteti, sovraniteti dhe përgjegjësia.
Dokumenti që fundos Ballukun
Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj e denoncoi me dokument disa muaj mw parw se qeveria shqiptare, nëpërmjet Ballukut, i ka falur kompanisë “Bankers Petroleum” 120 milionë euro. Shehaj publikoi një shkresë e vitit 2019 që tregon se si Balluku i shkruante ministrisë së Financave dhe drejtorisë së Doganave ku i kërkonte pezullim të vjeljes së një gjobe 120 milionë euro ndaj “Bankers Petroleum”. “Kjo letër e ministres Belinda Balluku tregon sesi qeveria shqiptare i ka falur kompanisë Bankers 120 mln euro.



Kjo është shkresa e 2019-ës ku Belinda Balluku i drejtohet Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe iu kërkon pezullim të veprimeve në lidhje me vjeljen e një shume prej 120 mln euro. Kjo gjobë dhe ky detyrim ka lindur në 2016, pasi Bankers ka marrë një gjobë nga Doganat për evazion fiskal, në lidhje me mospagesën e aksizës në import. Pavarësisht faktit që Doganat janë munduar ta vjelin këtë shumë, nuk kanë arritur kurrë t’i marrin ato para sepse politika, qeveria nuk i ka lejuar. Derisa ka ardhur momenti që ministrja Balluku i ka dërguar zyrtarisht një shkresë u ka thënë: mos veproni kundër Bankers”, denoncon Shehaj.
Kreu i Mundësia vazhdon me denoncimin e tij duke thënë se skandali bëhet edhe më i madh, pasi, qeveria vendosi të bëjë një amnisti fiskale për gjobat në mënyrë që këto para mos të shkojnë kurrë në buxhetin e shtetit, por t’i ndajnë me njëri-tjetrin. “Pavarësisht se ka vite që këto para duhet të ishin vjelë, tani qeveria shqiptare, mazhoranca, ka vendosur të bëjë një amnisti fiskale për gjobat në mënyrë që këto para mos të shkojnë kurrë në buxhetin e shtetit. Pse? Sepse qartësisht duan t’i ndajnë me njëri-tjetrin. Por nuk është më si më përpara.
SPAK-u ka marrë këtë dosje në hetim. Ka hapur një dosje në lidhje me këtë abuzim dhe ka shkuar në Ministrinë e Financave, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, ka mbledhur dokumente dhe fakte dhe po heton këtë afër korruptive. Sepse do Edi Rama, s’do Edi Rama, do Balluku, s’do Balluku apo analistët e tij, apo grupi i tij dhe oligarkët e Edi Ramës, në Shqipëri po ndryshon gjithçka. Të korruptuarit po dalin para drejtësisë. Aferat korruptive po hetohen. Dhe ja, në këtë rast, po flasim për një afër prej 120 mln euro, që po të mos kishte qenë për SPAK-un, këto para nuk do të kishin shkuar kurrë në buxhetin e shtetit shqiptar”, u shpreh Shehaj.