Përmbysja e parimeve tradicionale ushtarake po u jep përparësi goditjeve të shpejta ajrore dhe operacioneve të fshehta, duke shmangur përfshirjen e trupave tokësore në konflikte të zgjatura. Por kjo qasje rrezikon të prodhojë kaos afatgjatë dhe të lërë pa asnjë përgjegjës për pasojat e rënda të ndryshimit të regjimeve.
Kur bombat filluan të binin mbi Iran fundjavën që shkoi, shumica e amerikanëve u habitën po aq sa pjesa tjetër e botës. Ndonëse forcat amerikane në Lindjen e Mesme ishin grumbulluar dhe përgatitur prej javësh për një sulm të mundshëm, negociatat midis Uashingtonit dhe Teheranit ishin ende në zhvillim e sipër.
Edhe pse ushtria përgatitej për sulm, administrata Trump e la në hije objektivin e saktë. Pati shumë pak debat kombëtar, diskutime me aleatët dhe asnjë votim në Kongres. Dy ditë pas fillimit të luftës, zyrtarët nuk kanë artikuluar ende një vizion se si do të përfundojë ajo.
Në vend të përdorimit të një force vendimtare, presidenti Donald Trump po i jep përparësi fleksibilitetit. Kjo qasje pasqyron një mënyrë të re lufte që përmbys mendimin tradicional mbi përdorimin e forcës.
Në shumë mënyra, përdorimi i forcës nga Trump është “anti-Doktrina Powell”. E zhvilluar gjatë Luftës së Gjirit (1990-1991) nga gjenerali Colin Powell, kjo doktrina theksonte se forca duhet të përdoret vetëm si një mjet i fundit, pasi të jenë shteruar mjetet jo të dhunshme.
Nëse lufta është e nevojshme, ajo duhet të ndjekë një objektiv të qartë, me një strategji daljeje dhe mbështetje publike. Ajo kërkon një forcë shumë të madhe për ta mposhtur armikun, duke përdorur çdo burim të disponueshëm.
E nxjerrë nga mësimet e hidhura të Luftës së Vietnamit, qasja synonte të shmangte konfliktet e zgjatura dhe përçarjet e brendshme. Siç shkroi Powell, udhëheqësit ushtarakë nuk mund të pajtoheshin me “luftëra të zhvilluara me gjysmë zemre dhe për arsye gjysmë të pjekura”.
Qasja që po shohim aktualisht filloi të ndërtohet gjatë mandatit të parë të Trump. Në vitet 2017-2018, ai urdhëroi sulme ndaj regjimit të Asadit dhe vazhdoi luftën kundër ISIS. Në vitin 2020, SHBA-ja vrau Qasem Soleimanin.
Vitin e kaluar, Trump nisi luftën kundër Houthëve, shkatërroi objekte bërthamore iraniane dhe sulmoi militantët në Nigeri. Këtë vit, ai pushtoi Venezuelën për të kapur Nicolás Maduron dhe së fundmi nisi operacionin e madh ajror kundër Iranit.
Devijimet nga tradicionalja janë të habitshme. Doktrina Powell thotë se lufta është zgjidhja e fundit. Ndërkohë Trump e përdor paqartësinë si një avantazh për të zënë armikun në befasi. Sulmet ndaj Iranit vitin e kaluar dhe tani ndodhën ndërsa negociatat ishin ende në vazhdim.
Nuk pati ultimatume publike për Soleimanin apo Maduron. Për Trumpin, forca nuk është mjeti i fundit, por një mjet për të rritur ndikimin dhe për të prodhuar rezultate të shpejta.
Po ashtu, ai ka lënë tërësisht pas dore një faktor me rëndësi si mbështetja publike.
Ndërsa Powell kërkonte një debat të gjatë dhe miratim nga Kongresi, asnjë konflikt i nisur nga Trump nuk është paraprirë nga fushata të tilla. Madje, shpeshherë ai ka këmbëngulur se shpresonte ta shmangte luftën, ndërsa përgatitej për të.
Në Venezuelë, grumbullimi ushtarak u maskua si një operacion antidrogë. Edhe në fjalimin e fundit mbi Gjendjen e Kombit, Trump e përmendi Iranin në vetëm pak fjali, pavarësisht rreziqeve të larta.
Pra, aty ku Doktrina Powell kërkon qartësi, Trump vlerëson fleksibilitetin. Administrata aktuale ka shmangur artikulimin e objektivave specifikë. Kur njoftoi luftën me Iranin, ai tha se synonte “eliminimin e kërcënimeve”, edhe pse Teherani nuk zotëronte raketa që të arrijnë deri në SHBA.
Më vonë pretendoi se qëllimi ishte “PAQE NË BOTË”. Pa objektiva të qartë, presidenti Trump ruan aftësinë për të ndaluar luftimet pa pranuar humbjen. Kjo është strategjia e tij e daljes. Së fundi, Trump favorizon veprime “të shkurtra dhe të mprehta”.
Ai përdor fuqinë ajrore dhe forcat speciale, duke përjashtuar trupat tokësore konvencionale. Nëse ndryshimi i regjimeve kërkon forca tokësore masive, Trump ka bërë të qartë se SHBA-ja nuk do ta paguajë këtë çmim. Ai do të pajtohet me më pak.
Në disa raste, kjo përgjigje i ka shërbyer historisë më mirë sesa zbatimi dogmatik i Doktrinës Powell. Përdorimi i kufizuar i forcës kundër Houthëve prodhoi një marrëveshje më të mirë sesa injorimi i tyre apo lufta e hapur.
Rezultatet “mjaftueshëm të mira”, që minimizojnë rrezikun e një “moçali”, mund të jenë qasja e duhur për shumë situata. Megjithatë, edhe kjo mënyrë lufte ka kufijtë e saj. Sulmi ndaj Iranit është lëvizja më ambicioze e Trump.
Të detyrosh ndryshimin e regjimit në një vend kaq të madh pa trupa tokësore dhe pa aleatë vendas është jashtëzakonisht e vështirë. Skenarët e tmerrshëm, nga kaosi i brendshëm te një diktaturë ushtarake edhe më të rreptë se ajo që kemi parë deri tani, janë reale.
Këtu, fleksibiliteti i Trump mund të shërbejë si rrugëdalje. Nëse operacioni dështon ose publiku lodhet, Trump mund ta ndalë luftën dhe të shpallë fitoren, duke pretenduar se objektivi ishte thjesht dobësimi i Iranit. Duke vepruar kështu, ai përmbys rregullin e Powell: “Nëse e thyen, bëhet i joti”.
Trump ka deklaruar tashmë se SHBA nuk do të mbajë përgjegjësi për pasojat e kësaj lufte. Nëse regjimi iranian shembet, populli i tij duhet të mbledhë vetë copat. Kufizimi i madh i kësaj qasjeje është se ajo nuk hap rrugën për paqe afatgjatë, por thjesht e shtyn konfliktin për një ditë tjetër./ Përshtati “Pamfleti”, nga “Foreign Affairs”
Shënim: Richard Fontaine, drejtor i qendrës “New american security”. Ka punuar në Departamentin e Shtetit, Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe si këshilltar për politikën e jashtme të senatorit amerikan John McCain.