Departamenti Amerikan i Shtetit ka lëshuar një alarm urgjent për të gjithë qytetarët amerikanë që ndodhen në Lindjen e Mesme, duke u kërkuar të largohen “menjëherë” për shkak të rreziqeve serioze të sigurisë që lidhen me përshkallëzimin e konfliktit me Iranin.
Njoftimi u publikua më 2 mars 2026 nga ndihmëssekretarja për Çështjet Konsullore, Mora Namdar, e cila përmes një postimi zyrtar bëri thirrje të qartë që amerikanët të “DEPART NOW”; të largohen tani, duke përdorur mjete komerciale transporti, ndërkohë që ato janë ende të disponueshme. Thirrja vjen në një moment kur rajoni po përjeton një përshkallëzim të paprecedentë pas sulmeve të përbashkëta amerikano-izraelite ndaj objektivave në Iran dhe kundërpërgjigjeve të Teheranit në disa vende të Lindjes së Mesme.
Përshkallëzohet konflikti/ SHBA u kërkon qytetarëve të
Lista e vendeve të përfshira në paralajmërim është e gjerë dhe përfshin Bahrejnin, Egjiptin, Iranin, Irakun, Izraelin, përfshirë Bregun Perëndimor dhe Gazën; Jordaninë, Kuvajtin, Libanin, Omanin, Katarin, Arabinë Saudite, Sirinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Jemenin. Sipas mediave ndërkombëtare, ky konsiderohet si paralajmërimi më i gjerë i këtij lloji nga Departamenti i Shtetit që prej pushtimit të Irakut në vitin 2003.

Situata në terren mbetet jashtëzakonisht e tensionuar. Disa aeroporte kryesore në rajon kanë pezulluar përkohësisht operimet, ndërsa kompani ajrore ndërkombëtare kanë anuluar dhjetëra fluturime për shkak të rrezikut nga sulmet me raketa dhe dronë. Raportime të shumta flasin për shpërthime në disa kryeqytete të rajonit dhe për aktivizim të sistemeve të mbrojtjes ajrore në disa shtete të Gjirit.
Formulimi “Depart Now” është një nga paralajmërimet më serioze që përdor diplomacia amerikane dhe zakonisht sinjalizon rrezik të lartë për përshkallëzim të menjëhershëm ushtarak, mbyllje të papritur të hapësirës ajrore apo pamundësi për organizimin e evakuimeve zyrtare nëse situata përkeqësohet. Me këtë njoftim, Uashingtoni duket se po u bën të qartë qytetarëve të vet se duhet të veprojnë sa më shpejt, përpara se rrugët e daljes të kufizohen.
Ndërkohë, Departamenti i Shtetit ka bërë të ditur se linjat konsullore të emergjencës janë aktive 24 orë në ditë për të ndihmuar qytetarët amerikanë që ndodhen në rajon. Zhvillimet po ndodhin me ritëm të shpejtë dhe situata mbetet e paqartë, ndërsa tensionet mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit vazhdojnë të thellohen.