Nadia Marcinko mund të përfshihet në hetime të reja nga Kongresi amerikan lidhur me rrjetin e trafikimit seksual që lidhet me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein.
Sipas raportimeve të BBC-së dhe dokumenteve të publikuara, Marcinko, e lindur në Sllovaki, ka qenë për disa vite e lidhur ngushtë me Epstein dhe ka punuar si pilote e avionit të tij privat. Megjithatë, ajo nuk është akuzuar apo dënuar ndonjëherë për vepra penale.
Emri i saj është rikthyer në qendër të vëmendjes pas publikimit të emaileve dhe materialeve hetimore, ku sugjerohet se ajo ka qenë pjesë e një rrethi të ngushtë personash rreth Epstein.
Sipas hetimit, Marcinko ka qenë një nga katër gratë e përfshira në një marrëveshje të vitit 2008 që u garantonte imunitet si “bashkëpunëtore të mundshme”, ndërsa dy prej tyre pritet të merren në pyetje nga ligjvënësit amerikanë. Disa kongresmenë po kërkojnë që hetimi të zgjerohet edhe ndaj saj.
Dokumentet e publikuara tregojnë gjithashtu komunikime mes saj dhe Epstein, përfshirë email-e ku flitet për marrëdhënien e tyre dhe për kontakte me vajza të tjera. Megjithatë, nuk ka prova të publikuara që ajo të ketë përfshirë persona të mitur.
Në deklarimet e saj për autoritetet federale, Marcinko ka pretenduar se ka qenë nën kontroll të fortë psikologjik dhe fizik nga Epstein, përfshirë presion dhe manipulim të vazhdueshëm.
Pas arrestimit të Epstein në vitin 2019, ajo ka bashkëpunuar me FBI-në, e cila më pas e ka konsideruar në disa raporte si një viktimë të mundshme të një marrëdhënieje abuzive.
Sot, ajo është tërhequr nga jeta publike dhe raportohet se jeton në Nju Jork, ku është përfshirë në aktivitete shpirtërore.
Çështja ka hapur debat të gjerë në SHBA mbi vijën ndarëse mes viktimës dhe bashkëpunëtores në rastet e abuzimit dhe trafikimit, ndërsa Kongresi pritet të vendosë nëse Marcinko do të thirret zyrtarisht për dëshmi.