Teksa Shtetet e Bashkuara presin përgjigjen e Iranit ndaj propozimit të fundit amerikan për t’i dhënë fund konfliktit që nisi në fund të shkurtit, deklaratat e Presidentit Donald Trump vijojnë të përsërisin të njëjtat mesazhe.
Trump ka insistuar vazhdimisht se SHBA-të kanë kontrollin e situatës, se ushtria iraniane është dobësuar ndjeshëm dhe se konflikti mund të përfundojë shumë shpejt.
Ai ka ritheksuar gjithashtu se Iranit nuk duhet t’i lejohet zhvillimi i armëve bërthamore dhe se lundrimi i lirë në Ngushticën e Hormuzit duhet të rikthehet.
Megjithatë, pavarësisht deklaratave optimiste të presidentit amerikan, ende mbetet e paqartë se sa pranë është realisht një marrëveshje mes dy vendeve.
“Ata duan të bëjnë një marrëveshje. Kemi pasur bisedime shumë të mira gjatë 24 orëve të fundit dhe është shumë e mundur që të bëjmë një marrëveshje”, deklaroi Trump të mërkurën në Shtëpinë e Bardhë.
Presidenti amerikan ka bërë deklarata të ngjashme edhe gjatë javëve të fundit. Më 8 prill, teksa shpalli një armëpushim dyjavor, Trump deklaroi se “pothuajse të gjitha pikat e ndryshme të mosmarrëveshjeve të kaluara janë rënë dakord midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit”.
Megjithëse armëpushimi është zgjatur, deri tani nuk ka shenja konkrete të përparimit drejt një marrëveshjeje të gjerë apo rifillimit të negociatave intensive mes palëve.
Analistët vërejnë se lufta dhe dinamika në terren kanë ndryshuar ndjeshëm, ndërsa retorika e Trump ka mbetur pothuajse e pandryshuar, duke shtuar pasiguritë mbi rrugën drejt paqes.